Transparenca dhe llogaridhënia janë dy nga elementët kryesorë të mirëqeverisjes duke patur në fokus rritjen e aksesit për informacion tek të gjithë qytetarët, në veçanti tek grupet e interesit si dhe uljen e korrupsionit.

Aksesi në informacionin publik është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe hapi i parë drejt demokracisë vendore me pjesëmarrje. Kjo e Drejtë në Shqipëri garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqiperisë dhe ligji nr 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” dhe detyron njësitë e vetëqeverisjes vendore si autoritete publike garantimin e kësaj të drejte si dhe sigurimin e transparencës në veprimtaritë e tyre.

Të dhënat për hartimin e këtij raporti u përftuan nga analizimi i 15 raporteve vendore të transparencës dhe llogaridhënies në nivel vendor të hartuara nga kordinatoret lokale të OJF-ve rinore/individe të projektit në 15 Bashki si dhe nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Projekte Vullnetare Ndërkombëtare.

Ky projekt pati një shtrirje gjeografike në të gjithë vendin dhe përfshiu 15 bashki të cilat janë: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Korçë, Fier, Maliq, Devoll, Dibër, Fushë-Arrëz, Gjirokastër, Kamëz, Lushnje, Vlorë dhe Durrës.

Një nga aktivitetet kryesore në zbatim të këtij projekti është monitorimi i 15 Bashkive nga ana e OJF-ve lokale rinore dhe te rinjte, në lidhje me zbatimin e ligjit të informimit, transparencës dhe llogaridhënies. Monitorimi dhe vleresimi i transparencës në këto 15 bashki të vendit u bë në lidhje me gjetjet referuar katër indikatorëve të mëposhtëm:       

  1. transparenca proaktive në lidhje me OSHC-të dhe integrimin evropian;
  2. transparenca proaktive në web dhe mediat të bashkisë;
  3. transparenca proaktive në stendat në bashki;
  4. transparenca reaktive e informimit me kërkesë;

Gjatë periudhës tetor-nëntor 2021, 14 organizata të shoqërisë civile lokale rinore dhe aktorë të shoqërisë monitoruan dhe vlerësuan bashkinë përkatëse nëpërmjet (1) web-it zyrtar të tyre, (2) stendave informuese, (3) mjeteve mediatike të bashkisë dhe (4) informimit me kërkesë.

Ky raport monitorimi u hartua në kuadër të Projektit “Nxitja e Llogaridhënies Politike në Pushtetin Lokal” i cili u zbatua nga Projekte Vullnetare Ndërkombëtare me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy.